Kosova është pajisur për herë të parë me barkod ndërkombëtar shtetëror, duke siguruar prefiksin 381 për identifikimin e produkteve vendore në tregjet globale.
Për më shumë se dy dekada, prodhimet kosovare që eksportoheshin jashtë vendit janë regjistruar me prefikse të shteteve të tjera, për shkak të mungesës së një kodi të veçantë të njohur ndërkombëtarisht. Si rezultat, produkte të etiketuara “Made in Kosova” në shumë raste janë identifikuar në sistemet e skanimit si me origjinë nga vende të tjera.
Me sigurimin e prefiksit 381 nga organizmi ndërkombëtar i standardizimit të barkodeve GS1, kompanitë kosovare tashmë do të kenë mundësi të regjistrojnë produktet e tyre me një identitet të verifikueshëm globalisht.
Barkodi është një numër unik identifikues që përmban informacion për kompaninë dhe vendin e regjistrimit të produktit. Ai mund të skanohet përmes pajisjeve optike në zinxhirët e furnizimit, si dhe përmes aplikacioneve digjitale, duke lehtësuar gjurmueshmërinë dhe menaxhimin e mallrave në tregtinë ndërkombëtare.
Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për rritjen e transparencës tregtare, forcimin e imazhit të produkteve vendore dhe integrimin më të plotë të Kosovës në tregun evropian dhe global. Pajisja me barkod shtetëror pritet të ndikojë pozitivisht në promovimin e eksporteve dhe në konsolidimin e pranisë së bizneseve kosovare në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

