Ish-konkurrenti i Big Brother VIP Kosova, këngëtari Labinot Rexha, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, disa ditë pas largimit nga shtëpia më e famshme në Kosovë.
Ai ka pranuar se ka kaluar një periudhë të vështirë emocionale, duke e cilësuar situatën si një padrejtësi që e ka pasur të vështirë ta përballojë.
“Për 4 ditë kam qenë shumë keq emocionalisht. Ishte një padrejtësi që e kam pasur shumë të vështirë ta përballoj. Unë kam dhënë shumë për atë shtëpi nga energjia, pastërtia, kuzhina, këndimi, debatet e forta dhe prania ime çdo ditë. Sigurisht, si çdo njeri, edhe unë kam pasur gabimet e mia”, ka shkruar ai.
Megjithatë, me një ton më të qetë, Rexha thekson se çdo banor meriton respekt dhe se loja duhet parë si e tillë.
Ai ka përgëzuar finalistët, duke përmendur Londrimi, Dolce dhe Benita, për të cilët tha se e meritojnë finalen pasi kanë dhënë shumë dhe kanë qenë të fortë në mënyrën e tyre.
Në reagimin e tij, Labinoti theksoi se përgjegjësia për gjithçka që ka ndodhur mbetet mbi produksionin, ndërsa shtoi se është i vetëdijshëm për kontributin dhe identitetin e tij.
“Pas këtyre 4 ditëve reflektimi, e pranoj se nga emocionet dhe zhgënjimi nuk kam qenë plotësisht vetvetja. Por një gjë mbetet e vërtetë: unë kam hyrë dhe kam dalë me dinjitet, me zemër dhe me shpirt”, shkroi ai.
Në fund, ai uroi sukses për banorët dhe falënderoi ndjekësit për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë gjithë rrugëtimit të tij në BBVK.

