Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka marrë vendim për përshtatjen e orarit të procesit mësimor gjatë muajit të Ramazanit, duke theksuar se nuk do të ketë shkurtim të orëve mësimore, por vetëm riorganizim të tyre aty ku ka mundësi.
Sipas drejtorit të Arsimit, Samir Shahini, numri i orëve dhe minutave mësimore mbetet i njëjtë. Ndryshimi konsiston në fillimin e mësimit pak më herët dhe përfundimin e tij më herët, me qëllim që të krijohen lehtësira për nxënësit dhe mësimdhënësit gjatë këtij muaji.
Në një deklarim për Radio Kosova, Shahini bëri të ditur se pjesa më e madhe e shkollave kanë arritur ta zbatojnë këtë përshtatje pa probleme, pasi orari i tyre përfundon rreth orës 16:30. Në këto raste, nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje të mëtejme.
Megjithatë, disa shkolla nuk kanë mundur ta zbatojnë vendimin për shkak të organizimit të ndërrimeve dhe orareve të ngarkuara. Ndër to është Xhevdet Doda, ku për shkak të dy ndërrimeve të plota, çdo shkurtim i orarit do të sillte humbje të orëve mësimore, gjë që Drejtoria ka vendosur të mos e lejojë.
Gjithashtu, sfida organizative paraqiten edhe në shkollën Ismail Qemali, në ish-objektin e “Xhevdet Dodës”, ku zhvillojnë mësim nxënës nga shkollat Faik Konica dhe Xhemajl Mustafa. Në këto institucione, për shkak të ndërrimeve të cikleve të ndryshme paradite dhe pasdite, nuk ka qenë e mundur zbatimi i plotë i vendimit.
Sipas Drejtorisë së Arsimit, ky është viti i parë që ndërmerret një hap i tillë në kryeqytet. Për vitet në vijim, autoritetet arsimore do të vlerësojnë rrethanat, përfshirë kohëzgjatjen e agjërimit dhe organizimin e orareve, për të parë nëse një vendim i ngjashëm mund të zbatohet pa cenuar procesin mësimor.

