Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka asnjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane në Kosovë, pas raportimeve mediatike për mundësi reduktimi të pranisë së NATO-s në rajon.
Në një përgjigje me shkrim për Radio Evropa e Lirë, një zyrtar i Pentagonit deklaroi: “Sot, nuk kemi njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”.
Kërkesa për koment erdhi pas një raportimi të gazetës amerikane Politico, e cila, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, shkroi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleanca të reduktojë aktivitetet e saj të jashtme, përfshirë misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Një zyrtar i NATO, në koment për REL-in, theksoi se SHBA-ja luan rol thelbësor në mbështetjen e sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal, duke shtuar se autoritetet amerikane janë adresa për detaje të mëtejme lidhur me çështjen.
Sipas të dhënave aktuale, SHBA-ja ka rreth 590 deri në 600 trupa të angazhuara në kuadër të KFOR-it dhe udhëheq Komandën Rajonale Lindje. Kjo komandë kontribuon në patrullime, ushtrime, angazhime me komunitetet lokale dhe në mbështetje të projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.
Raportimi i Politico-s vjen në një kohë kur, vitin e kaluar, ishin shprehur shqetësime në disa vende evropiane për mundësinë e rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte deklaruar se Evropa duhet të përgatitet për një rishikim eventual të pranisë ushtarake amerikane, megjithëse nuk pati tërheqje të plotë të trupave.
Aktualisht, në Kosovë shërbejnë 4.767 trupa nga 33 shtete në kuadër të misionit të KFOR-it, ndërsa pas përfundimit të luftës në vitin 1999 ishin të dislokuara rreth 50.000 trupa. Baza ushtarake Camp Bondsteel mbetet objekti më i madh ushtarak amerikan në Ballkan.
KFOR-i konsiderohet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, dhe ka përgjegjësi, ndër të tjera, për sigurinë përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

