Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar miratimin e rezolutës në Kuvend për mbështetjen e krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se kërkesa e saj për përfshirjen e një paragrafi mbi drejtësinë për vrasjet politike ishte një akt “minimalist human”.
Rezoluta, e prezantuar nga Partia Demokratike e Kosovës, mori 90 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim. LDK-ja kishte deklaruar mbështetjen për rezolutën në parim, por kërkoi që në tekst të përfshihej edhe një pikë për zbardhjen dhe dhënien e drejtësisë për vrasjet politike pas luftës. Kjo kërkesë u refuzua nga PDK-ja, me arsyetimin se teksti ishte hartuar nga një grup ekspertësh dhe nuk mund të ndryshohej.
Duke folur në Debat Plus, Abdixhiku tha se përfshirja e një paragrafi për drejtësi ndaj viktimave të vrasjeve politike do të ishte një akt i drejtë dhe i domosdoshëm.
LDK-ja as nuk është sponzorizeuse e as ideatore e as nuk i gëzohet e madje beson në plotni që lufta e UCK=së është luftë sublime e popullit të Kosovës, sepse është vetë populli i Kosovës është UCK-ja. Ta godasësh UCK-në e godet edhe popullin e Kosovës dhe LDK-në… në rastin e rezolutën kishte një kërkesë të LDK=së të deputetëve tanë që të përfshihej një paragraf. Dhe kishte një refuzim. Në rrethana të tilla paragrafi ishte shume human, shumë i thjesht, shumë njerëzor. Ishte gabim refuzimi i tij. Të kërkosh drejtësi për vrasjet e njerëzve tanë është akt minimalist human për secilin njeri. Mos e bëni betejë partiake se nuk është…”, ka thënë Abdixhiku.
Pas refuzimit të amendamentit të propozuar nga deputetët e LDK-së, kjo parti nuk mori pjesë në votim. Kundër rezolutës votoi vetëm deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ndërsa Lista Serbe nuk ishte e pranishme në sallë

