Katër persona janë shoqëruar nga policia pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Mark Prenga, që humbi jetën teksa punonte në një shtyllë elektrike në fshatin Rrilë të Lezhës.
Në komisariat janë marrë dy punonjës të nënstacionit elektrik të Rrilës dhe dy punonjës të OSHEE, mes tyre edhe përgjegjësi teknik. Ata po merren në pyetje prej disa orësh për të sqaruar çfarë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, kur elektricisti ra në kontakt me rrymën dhe vdiq në vend.
Sipas burimeve zyrtare, punonjësit kanë deklaruar se u është kërkuar vetëm stakimi i linjës dytësore aty ku ishte konstatuar defekti, dhe jo ndërprerja e linjës së tensionit të lartë prej 10 mijë voltësh, me të cilën dyshohet se ra në kontakt 27-vjeçari.
Linjat elektrike kanë qenë paralele me njëra-tjetrën, ndërsa grupi hetimor po verifikon nëse janë respektuar rregullat e sigurisë dhe protokollet për ndërhyrje në rrjet. Hetimet janë në vijim.

