Bulliqi sqaron situatën me ujë në Podujevë dhe mohon lajmin për zgjebën

by Nexhat

Kryetari i Komuna e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mbajtur konferencë për media ku ka sqaruar situatën e furnizimit me ujë të pijes në Podujevë, investimet e realizuara në bashkëpunim me KRU “Prishtina” dhe ka mohuar lajmin për zgjeben, duke u bazuar në raportin e specialistëve mjekësorë.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, në një konferencë për media ka sqaruar situatën rreth furnizimit me ujë të pijes në Podujevë. Ai theksoi se, edhe pse çështja e furnizimit me ujë të pijes është kompetencë e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Komuna e Podujevës ka investuar në rrjetin e ujësjellësit.

banner

“Në saje të kësaj kemi pasur bashkëpunim me KRU ‘Prishtina’ dhe kemi bërë dy investime të rëndësishme. Njëri investim është në gypin kryesor që furnizon qytetin e Podujevës nga fabrika në Shajkoc. Ky gyp ka qenë me diametër 40 cm dhe ka ardhur deri në afërsi të Lagjes së Dëshmorëve, dhe nga aty është reduktuar në 24 cm. Këtë e kemi zëvendësuar me gyp të ri 40 cm për ta furnizuar rezervuarin. Me këtë investim është përmirësuar dukshëm furnizimi me ujë për qytetin e Podujevës edhe gjatë stinës së verës”, tha Bulliqi.

Sipas tij, me vendosjen e këtij gypi, Lagjja “Ali Ajeti” është larguar nga gypi qendror dhe, për shkak të pozitës së lartë gjeografike në krahasim me pjesën tjetër të qytetit, janë paraqitur probleme herë pas here. Ai tha se kjo lagje, për më shumë se 20 vjet, është furnizuar me ujë nga gypi i azbestit, dhe për herë të parë, bashkë me KRU “Prishtina”, është zëvendësuar gypi.

“Në atë lagje ka pasur më shumë probleme edhe për shkak të konfiguracionit më të lartë që ka ajo lagje, dhe në momentin kur nuk ka furnizim të mjaftueshëm nga gypi kryesor që vjen nga Shajkoci dhe bie niveli i ujit, aty paraqiten probleme. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e KRU ‘Prishtina’. Është takimi i tretë që kemi realizuar me kryeshefin ekzekutiv, drejtorët teknikë, por edhe drejtorët e Njësisë në Podujevë rreth furnizimit me ujë. Por, në momentin që bie furnizimi nga kanali i Ibër-Lepencit, Ujësjellësi e rrit kapacitetin e furnizimit me ujë nga Fabrika e Shajkocit për Prishtinë dhe e zvogëlon për Komunën e Podujevës”, theksoi Bulliqi.

Ndërsa, sa i përket lajmit në media rreth zgjebës, ai tha se raporti i mjekëve e mohon një gjë të tillë.

“Sa i përket zgjebës, unë e kam këtu raportin e sotëm të specialistëve mjekësorë, të cilët e kanë verifikuar dhe nuk qëndron ajo informatë. Për këtë do të bëhet edhe një denoncim në organet e rendit për deklarimin e rrejshëm që ka bërë ai person”, theksoi i pari i Komunës së Podujevës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy