Policia ka zbuluar sot një kasolle e kthyer në bazë armatimesh në pronësi të Ylli Zallës 49 vjeç, një person me precedentë të mëparshëm kriminale.
Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua një tjetër arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe miku u tij, Muçi Shaljani.
Emisioni “Në Shënjestër” publikoi pas ngjarjes së Rinasit, të dhëna nga skeda e Ylli Zallës ku ai kishte vuajtur më herët një dënim të ngjashëm për armëbajtje pa leje, pasi në banesën e tij iu gjetën armë të shumta zjarri dhe që pas kontrollit të fundit në banesë, ai nuk u gjet aty.
Që prej nëntorit 2025, prej tij nuk ka asnjë gjurmë, por grupi hetimor përjashtoi çdo lidhje mes tij dhe grupit kriminal që organizoi eliminimin e krahut të djathtë të Emiljano Shullazit.
Gjatë ditës së sotme, atij iu gjetën në banesë 3 kallëpë tritoli, 12 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë, 3 ndezës granatash, kapsolla detonatorë me 5 celularë, 2 automatikë, 2 pushkë, 8 krehra, pjesë armësh, 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 2 kg e 25 gramë kanabis sativa
Fillimisht u dyshua se autorët e atentatit në Rinas mund t’i kishin siguruar armët në këtë banesë, por ekspertiza e përjashtoi këtë pistë.
Ylli Zalla nuk është emër i panjohur për policinë. 12 vjet më parë është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë

