Një grup aktivistësh nga organizata “Kolektivi për mendim dhe veprim feminist” vendosën sot një baner në hyrje të Presidencës së Republikës së Kosovës me mbishkrimin “Jo në emrin tonë, ne jemi për çlirimin e Palestinës”, duke kundërshtuar vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar Bordit të Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Veprimi ka nxitur reagime në opinionin publik. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se solidariteti me popullin palestinez është i natyrshëm, por theksoi se kjo nuk duhet të përkthehet në instrumentalizim të politikës së jashtme për qëllime ideologjike.
Sipas Cakollit, Kosova historikisht ka ndërtuar ekzistencën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar mbi partneritetin me Perëndimin, në veçanti me SHBA-të. Ai argumentoi se pa mbështetjen perëndimore, vendi nuk do të kishte arritur lirinë, shtetësinë dhe perspektivën euroatlantike.
“Solidariteti me vuajtjet e palestinezëve është i natyrshëm. Por kjo nuk na jep të drejtë ta shndërrojmë politikën e jashtme në teatër ku çdo angazhim perëndimor paraqitet si fajësi morale”, u shpreh ai, duke shtuar se Kosova nuk duhet të përdoret si “megafon për beteja ideologjike globale”.
Cakolli theksoi se institucionet e vendit duhet të reflektojnë orientimin e qartë pro-perëndimor të shumicës së qytetarëve dhe të ratifikojnë marrëveshjet që avancojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, madje – sipas tij – me konsensus të plotë politik.

