Projektligji për çmimet tavan rikthehet, opozita dhe bizneset kërkojnë respektim të Kushtetutës

by informim peje

Deputetë dhe përfaqësues të bizneseve pas inicimit të procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan), kanë kërkuar që çdo ndërhyrje në treg të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe të mos cenojë ekonominë e lirë të tregut.

Ata theksojnë se projektligji i ri duhet të marrë parasysh gjetjet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërtohet mbi praktika të mira evropiane, në mënyrë që të mbrojë konsumatorin pa dëmtuar biznesin.

banner

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, për Ekonomia Online deklaroi se qeveria nuk duhet ta përsërisë gabimin e kaluar duke rënë ndesh me Kushtetutën dhe parimet e të bërit biznes, duke theksuar se çdo procedurë e re duhet të ketë parasysh gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për ligjin paraprak.

“Po sigurisht që qeveria ka projeksionet e veta, por konsideroj që në këtë rast qeveria nuk do të bënte gabimin që ka bërë herën e parë, që të bie ndesh me Kushtetutën dhe me të gjitha parimet dhe të drejtat e të bërit biznes dhe të mënyrës së tregtisë. Në këtë relacion ne inkurajojmë që Kosova të ketë stabilitet dhe kontroll mbi gjithçka, por brenda kornizës ligjore. Dhe konsideroj që nëse sponzorizuesi i ligjit të ardhshëm fillon një procedurë të tillë, duhet t’i ketë shumë parasysh të gjitha gjetjet që i ka gjetur Gjykata Kushtetuese në ligjin paraprak”, tha ai.

Ai shtoi se gjithçka në vend është e rregulluar me legjislacion dhe me parime të ekonomisë së tregut të lirë dhe se qeveria nuk guxon të procedojë akte normative që bien ndesh me parimet themelore të mënyrës së të bërit biznes.

“Gjithçka në këtë vend është e rregulluar me legjislacion dhe me parime demokratike të ekonomisë së tregut të lirë, të ekonomisë e cila nuk ngulfatet nga politikat ditore, të ekonomisë e cila është si të thashë katalizator i zhvillimit të përgjithshëm të vendit. Në këtë relacion qeveria nuk guxon të procedojë procedura ligjore apo akte normative të cilat bien ndesh me parimet themelore të mënyrës së të bërit biznes”, tha ai.

Kryetari i Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, kujtoi se ligji i mëparshëm ishte rrëzuar nga Kushtetuesja si shkelje e ekonomisë së tregut, por shprehu pritjen që projektligji i ri të ketë përmirësime dhe avantazhe për konsumatorin, biznesin dhe shtetin, pa cenuar tregun e lirë.

“Inicimi i projektligjit për çmimet tavan të produkteve bazë ka qenë edhe më herët. Kushtetuesja e ka hedhur poshtë si të pabazë dhe si formë e shkeljes së ekonomisë së tregut, Kushtetutës së Kosovës. Tash ky projektligj i ri i iniciuar mendoj që do të ketë përmirësime dhe avantazhe qoftë për konsumatorin, qoftë për biznesin, edhe për shtetin. Prandaj, do të duhet të merren praktikat më të mira të vendeve në Evropë, në Ballkan dhe në vende të tjera ku ky ligj mund të jetë si model, por asnjëherë me cenu ekonominë e lirë të tregut. Asnjëherë sepse Kushtetuta e garanton një gjë të tillë”, tha ai.

Shahini theksoi se shteti mund të ndërhyjë vetëm në raste të lëvizjeve të pakontrolluara të çmimeve apo mungesave në treg, përmes rezervave shtetërore, dhe se projektligji duhet të kalojë në dialog publik me institucionet, bizneset dhe ekspertët, në mënyrë që të mos kthehet sërish nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Në disa vende të ndryshme, në rast se ka lëvizje të çmimit të pakontrolluar, ka mungesë të produkteve ose ka shtrenjtim të njëpasnjëshëm të produkteve dhe vërehet se kjo është bërë si klientelë për përfitime të larta duke e dëmtuar konsumatorin, atëherë shteti e ka të drejtën të ndërhyjë, po të ndërhyjë me rezerva shtetërore. Prandaj ky ligj do të duhet që t’i rrisë edhe rezervat shtetërore, edhe mënyrën e rezervave shtetërore për t’i qitë në treg, në shitje, në mënyrë që të kontrollojë ekonominë e tregut, të kontrollojë edhe tregtarët të cilët, në thonjëza mund të them që, supozohet që e keqpërdorin situatën. Prandaj ky ligj do të duhet të jetë në biseda publike, në dialog publik me institucionet e ndryshme të pavarura, qoftë me përfaqësues të bizneseve, qoftë me biznese, me ekspertë të fushave, në mënyrë që ligji vërtet kur të shkojë mos të kthehet edhe një herë sepse e humb kuptimin dhe e humb të drejtën që një ligj të shkojë tri herë dhe mos të aprovohet apo mos bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar të premten se pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).

Përmes një postimi në Facebook, ministrja tha se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.

Sipas Kusari-Lilës, ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur qytetarët përballen me, rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore si dhe çrregullime në furnizim.

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023. Asokohe, gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Qeveria e kishte arsyetuar ligjin për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

Sipas qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ligji, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie./EO/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy