Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pritur në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet në vend, si dhe për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Në njofitm thuhet se Kurti do të takohet edhe me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Kryetarin e PDK-së dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza. Kryeministri Kurti falënderoi Kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar. U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm. Kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku”, thuhet në njoftim.

