Në kohën kur trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është tërhequr për të marrë vendimin në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë po vazhdojnë debatet dhe përplasjet publike me akuza të rënda politike.
Në një shkrim të publikuar nga gazetari Vudi Xhymshiti, është dhënë një intervistë me analistin Sadri Rambaja, ku ky i fundit ka hedhur akuza serioze në drejtim të ish-udhëheqësve politikë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Në intervistë, Rambaja ka ndërlidhur Thaçin dhe Veselin me rastin e Behajdin Hallaqit, duke pretenduar se për këtë çështje duhet të japin përgjigje publike dy ish-zyrtarët e lartë. Artikulli përmban akuza dhe pretendime të shumta, por pa ofruar prova konkrete që do t’i mbështesnin këto pohime.
Publikimi i kësaj interviste vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe juridik, teksa pritet vendimi i gjykatës në Hagë për rastin që ka në qendër ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së. Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Thaçi apo Veseli lidhur me pretendimet e paraqitura në intervistë./Fakti Ditor

