Teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, analisti politik Avni Arifi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme kreun e shtetit.
Në një deklarim në emisionin “Ora Shtatë”, Arifi theksoi se 4 marsi është afati i fundit brenda të cilit Kosova duhet ta ketë presidentin e ri. Sipas tij, pavarësisht fitores bindëse të LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, aritmetika parlamentare nuk garanton zgjedhjen e presidentit pa mbështetjen e partive të tjera.
“Afati po afrohet, 4 marsi është tek dera, ne duhet deri më 4 mars me e pasë presidentin. Pavarësisht fitores së jashtëzakonshme të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, është e qartë që nuk i ka votat për me e zgjedhë presidentin,” u shpreh Arifi.
Ai shtoi se situata të tilla, si në çdo vend tjetër demokratik, kërkojnë konsensus dhe kompromis politik. Sipas tij, zgjidhja duhet të vijë përmes përzgjedhjes së një kandidati që mund të jetë i preferuar nga një subjekt politik, por që nuk konsiderohet i papranueshëm nga palët e tjera.
Zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend, çka e bën të domosdoshme arritjen e një marrëveshjeje ndërpartiake nëse synohet shmangia e një krize institucionale.

