Policia Rajonale e Prishtinës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar janë shqiptuar gjithsej 3,939 gjoba për shkelje të ndryshme të kodit rrugor dhe kundërvajtje të tjera. Prej tyre, 604 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobil, duke reflektuar përdorimin e teknologjisë për përmirësimin e sigurisë në rrugët e kryeqytetit.
Gjatë së njëjtës periudhë, Policia ka realizuar 210 urdhëresa të gjykatës, përfshirë 54 urdhëresa për vepra penale dhe të tjera për kundërvajtje, verifikime dhe seanca. Personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas kryerjes së detyrimeve të përcaktuara.
Aktivitetet policore u shtrinë edhe në kontrollin e sigurisë së përgjithshme, duke rezultuar në sekuestrimin e 7 armëve të zjarrit dhe municioneve të llojeve të ndryshme.
Policia njoftoi se operacionet me vetura inteligjente dhe radarë mobil do të vazhdojnë, duke synuar uljen e shkeljeve rrugore dhe rritjen e sigurisë për qytetarët e Prishtinës.

