Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas përfundimit të misionit dyjavor të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, duke vlerësuar se gjetjet e këtij institucioni konfirmojnë dështimin e politikave ekonomike dhe fiskale të Qeverisë në vitet e fundit.
Sipas Hotit, deklarata e FMN-së, e publikuar më 13 shkurt 2026 në kuadër të konsultimeve sipas Nenit IV, ngre shqetësime serioze për stabilitetin makroekonomik dhe fiskal të vendit. Ai rikujtoi se që nga anëtarësimi i Kosovës në FMN më 2009, misionet mbikëqyrëse kanë pasur rol kyç në vlerësimin e politikave ekonomike të vendit.
Duke iu referuar raportit, Hoti theksoi se rritja ekonomike ka rënë në 3.25 për qind në fund të çerekut të tretë të vitit 2025, nga 4.75 për qind një vit më parë, si pasojë e dobësimit të konsumit dhe investimeve private. Inflacioni, sipas tij, ka arritur në 5.25 për qind në dhjetor 2025, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Ai nënvizoi edhe përkeqësimin e bilancit tregtar, me deficitin e llogarisë rrjedhëse që ka arritur në 9.6 për qind të Bruto Produktit Vendor, si dhe nivelin e lartë të kredive bankare, që sipas FMN-së kanë arritur në rreth 60 për qind të BPV-së.
Hoti theksoi se FMN-ja ka rekomanduar ndërlidhjen e pagave në sektorin publik me normën e inflacionit, përcaktimin e pagës minimale në balancë me produktivitetin dhe koston e jetesës, si dhe identifikimin e kursimeve në shpenzimet për mallra dhe shërbime. Po ashtu, ai përmendi nevojën për mbikëqyrje më të rreptë të institucioneve mikrofinanciare dhe të ekspozimit të bankave ndaj sektorit të patundshmërive.
Në reagimin e tij, Hoti kritikoi mungesën e investimeve publike, neglizhimin e infrastrukturës hekurudhore, rritjen e varësisë nga importi dhe mungesën e politikave industriale që, sipas tij, do të nxisnin prodhimin vendor dhe punësimin në sektorin privat.
Ai ngriti shqetësime edhe për fuqinë blerëse të qytetarëve, duke thënë se mosindeksimi i pagave dhe pensioneve me inflacionin ka ulur standardin e jetesës, ndërsa subvencionet e vonuara për bujqit dhe normat e larta të interesit nga institucionet mikrofinanciare rëndojnë më tej ekonominë familjare.
Sipas Hotit, përpjekjet për vendosjen e çmimeve tavan për produkte të caktuara nuk përbëjnë zgjidhje për inflacionin. Ai argumentoi se çmimet mund të stabilizohen përmes uljes së kostove të prodhimit, transportit dhe tatimeve, si dhe përmes zbatimit të politikave industriale që mbështesin prodhuesit vendorë.
Në përfundim, Hoti shprehu skepticizëm se do të ketë reflektim nga Qeveria e re, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik kërkon ekspertizë dhe orientim të qartë drejt ekonomisë së tregut.

