Janjiq: Ndarja apo Asociacioni në Kosovë nuk e zgjidh çështjen e serbëve

by engel

Sociologu serb Dushan Janjiq ka deklaruar se as ndarja territoriale e Kosovës dhe as formimi i Asociacionit mbi baza etnike nuk përbëjnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e serbëve në Kosovë.

Në një intervistë për KTV, Janjiq shpjegoi se ka qenë kundër dy projekteve politike që, sipas tij, janë promovuar ndër vite nën idenë “të gjithë serbët nën një kumbull”: copëtimi i Kosovës, përkatësisht ricaktimi etnik i kufijve, dhe territorializimi etnik përmes Asociacionit.

banner

Sipas tij, përveç këtyre dy opsioneve ka ekzistuar edhe një i tretë – ndarja e Kosovës përgjatë lumit Ibër – por ai vlerësoi se as ky skenar nuk do ta zgjidhte problemin kombëtar serb. “Shumica e serbëve jeton në jug të Ibrit, përfshirë në Graçanicë”, theksoi ai, duke argumentuar se çdo ndarje territoriale do të shpërfillte realitetin demografik në terren.

Janjiq shtoi se ndërtimi i një shteti mbi baza etnike është i paqëndrueshëm dhe i destinuar të prodhojë tensione afatgjata. “Mbi baza të etnisë nuk mund të ndërtosh shtet. Shtetin e bën shtetësia”, u shpreh ai, duke theksuar se identiteti, kultura dhe gjuha mund të ruhen dhe zhvillohen edhe pa projekte territoriale ekskluzive.

Duke folur për periudhën e shpërbërjes së Jugosllavia dhe politikat e Slobodan Milosheviq, Janjiq kritikoi përpjekjet për t’i nënshtruar shqiptarët dhe për t’i trajtuar si “qytetarë të rendit të dytë”. Sipas tij, këto politika jo vetëm që dështuan, por prodhuan pasoja afatgjata që, siç tha, po i paguan edhe vetë kombi serb.

Në përfundim, ai theksoi se alternativa e vetme e qëndrueshme ka qenë dhe mbetet riorganizimi i sinqertë i shoqërisë mbi baza demokratike, ekonomike dhe pluraliste, duke hequr dorë nga projektet që synojnë ndarje etnike apo kontroll territorial.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy