Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video përmbledhëse me intervistat e saj të dhëna për media ndërkombëtare, duke theksuar se secila prej tyre ka pasur një qëllim të qartë – mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe fuqizimin e zërit të qytetarëve të saj.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë të ditur se angazhimi i saj në arenën ndërkombëtare synon të forcojë pozicionin e shtetit në raport me sfidat politike dhe diplomatike.
“Në çdo intervistë ndërkombëtare, me një qëllim të qartë: mbrojtjen e Kosovës dhe fuqizimin e zërit të popullit tonë!”, ka shkruar presidentja.
Videoja përmbledh paraqitjet e saj në media të huaja, ku ajo ka folur për zhvillimet politike në vend, dialogun me Serbinë, sigurinë rajonale dhe aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Presidentja ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e prezantimit të qëndrimeve të Kosovës në forume dhe media ndërkombëtare, duke e konsideruar diplomacinë publike si një element kyç në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

