Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të zhvillojë ditën e nesërme (e mërkurë) një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të pritet nga krerët më të lartë të shtetit.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Spiropali do të pritet fillimisht nga homologu i saj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca.
Më pas, ajo do të zhvillojë takime të veçanta me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Spiropali do të takohet gjithashtu me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës: kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Takimet pritet të fokusohen në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, riaktivizimin e mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të qeverive (G2G), si dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.
Po ashtu, në qendër të diskutimeve do të jetë zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht për projektet madhore kombëtare, si hekurudha Durrës–Prishtinë, shtimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike, si dhe koordinimi në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimi me diasporën.
Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të vendit.

