Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi edhe në rigjykim dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim për rastin e rrëmbimit të shtetasve turq

by informim peje

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi i akuzuar në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohej se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.

Gjykatësja Namani-Hajra tha se Gashi dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim dhe ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Në arsyetim të vendimit, gjykatësja tha se në rigjykim shumica e seancave janë mbajtur të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Tha se i akuzuari ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

I akuzuari obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën 1 mijë euro dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Palët e dëmtuara për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Të pranishëm në shpallje ishin prokurorja Habibe Salihu-Statovci dhe mbrojtësi i Gashit, avokati Driton Musliu. Ndërkaq mungoi i akuzuari Gashi.

Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohej se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy