Është mbajtur takimi i parë i Këshillit Organizativ për manifestim me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbledhja u kryesua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkëkryesues, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti si dhe anëtarë të Këshillit dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Në këtë takim nuk morën pjesë organizatat e dala nga lufta, të cilat kanë shprehur pakënaqësi me qasjen e Qeverisë.
“Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për agjendën e aktiviteteve për tri ditët e manifestimit, si dhe për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, për të organizuar këtë ngjarje me rëndësi të veçantë shtetërore”, thuhet në njoftim.
Pas konsultimeve të përbashkëta, u tha se “Këshilli Organizativ miratoi agjendën zyrtare për datat 5, 6 dhe 7 mars, si dhe logon zyrtare të manifestimit”.
“Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në ditët në vijim për të siguruar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim.

