Shkruan: Pëllumb Vreka
Viti 1992. I ndodhur në Greqi për shërbim pune, drekova me ish- gjeneralin e Policisë së Patrës dhe njëkohësisht mikun tim, Anxhelo Paskalas, ish-piloti i avionit personal të Kryeministrit Papandreu (i vjetri). Gjatë drekës trajtuam disa tema, sidomos për Shqipërinë e cila po dilte (zgjohej) nga diktatura komuniste. Njëra nga temat dhe më interesantja ishte tema e Bunkerëve ose siç i quanim ne në atë kohë, “Qendra Zjarri”.
-Ti, qirie Peristeri (zoti Pëllumb), duhet të kesh një gjë të qartë – m’u kthye mua Anxhelo, ato qendrat e zjarrit që keni harxhuar paratë kot, nuk iu shërbejnë për asgjë, sepse, me një bombë aviacioni pesëqind kilogramshe të shpërthyer pranë saj, ajo kthehet me… këmbë përpjetë! Faktikisht, kjo thënie e Anxhelos doli e saktë, sepse në bombardimet e avionëve serb në luftën e Kosovës, pati edhe një shpërthim në kufirin tonë, ku bomba e avionit serb e hodhi bunkerin (qendrën e zjarrit) përmbys. Dreka mbaroi dhe ne u ndamë. Anxhelo më pas filloi një biznes duke ndërtuar një “Mandër” (pikë gjigante grumbullimi skrapi) në periferi të Patrës. Kaq sa për kuriozitet mbi vlerën e një bunkeri! Tani le të kalojmë tek bunkerët. Në Shqipëri nuk ishte e panjohur historia e bunkerëve (qendrave të zjarrit), ajo njihej që nga koha e luftës kur tek ne, gjermanët e italianët ndërtuan bunkerë, kuptohet të rrallë dhe vetëm në pikat strategjike të rrugë kalimeve. Midis tyre, më i veçanti ka qenë një bunker në hyrje të Pogradecit.
Ai ka qenë ndërtuar në faqe të shkëmbit, disa metra sipër rrugës dhe i derdhur në beton e hekur, me dy frëngji, dhe kontrollonte jo vetëm rrugën hyrëse e dalëse të Pogradecit por edhe një pjesë të bregut të liqenit të Ohrit. Betoni i derdhur nga italianët ishte tipik me ato të shtyllave telefonike të ndërtuara po nga ata, ky lloj betoni sipas specialistëve, pas pesëdhjetë viteve kthehet në… gur. Eksperienca e bunkerëve tanë, sipas inxhinierëve të asaj kohe u mor pas studimit të disa vijave me bunker në Europë, siç ishin vija Mazhino në Francë, vija Gustav në Itali, vija Manheim në Finlandë, dhe ajo e famshmja, me larmi pengesash përveç bunkerëve, “ZIGFRID” në Gjermani, për të penguar avancimin e aleatëve drejt Gjermanisë. Pas orientimit të dhënë nga Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë, u krijuan grupe pune me specialistë, xhenierë, inxhinierë betonesh nga Kombinati “Josif Pashko”, teknikë hekurpunues e hekur kthyes për realizimin e tyre. Ne nuk patëm ndërtuar ndonjë linjë bunkerësh por grupe e breza bunkerësh që fillonin nga gryka e Bunës, gjatë gjithë bregdetit, përgjatë kufirit me Greqinë, me Jugosllavinë e përfundonin me kufirin me Malin e Zi. “Jo hiç po habili”, një vijë që i kalonte edhe vijat e mbrojtjes së Europës, duke e emetuar vendin tonë me shprehjen “Shqipëria bunker”, duke e plotësuar këtë edhe me “bunkerizimin politik”, kështu “tenxheres i vihej kapaku”, një vend i izoluar totalisht.
BREZI I BUNKERËVE
Çdo brez bunkerësh përbëhej nga pesë copë, ku përfshiheshin bunkerët mitralerë dhe një gjysmë bunkeri për RPGtë dhe topat shtatëdhjetë e pesë milimetra kundër tank. Pastaj pati edhe bunkerë të veçantë si bunkerët e artilerisë të ndërtuar me pjesë betoni si thelat e shalqinit, si edhe bunkerë malorë, më të vegjël pa lënë pas edhe tunelet malorë të artilerisë, si tek Shkëmbi i Kavajës, në Mallakastër apo në ishullin e Sazanit. Përbërja e materialeve të një bunkeri ishin prej materiali importi, si çimento speciale Poland-700 e importuar nga Polonia, hekur i përforcuar i importuar nga Gjermania Lindore.
Ne kishim vetëm zhavorrin e lumit, ujin dhe betonieret për përzierjen e betonit. Hekuri i bunkerëve është hekur dhe jo çelik, siç shprehet ndonjë analist në TV sot. Hekuri çelik nuk ndryshket por është i këputshëm. Kurse hekuri i përforcuar është disa herë më rezistent ndaj shpërthimit të bombave mbi to. Mirëpo, gjatë ndërtimit të konstruksionit të bunkerëve (skeletit metalik, d.m.th. armaturës) pati një rast të jashtëzakonshëm, ku nja tetë hekurkthyes me iniciativë nuk i vendosën të gjitha shufrat e hekurit në armaturë duke fituar, në kohë edhe në para. Sepse parimi ka qenë “realizimi i normës është detyrë, ndërsa tejkalimi është nder” por ama paguhej. Kështu këta myteberë mashtronin dhe fitonin. Por, syri vigjilent i Sigurimit të Shtetit që hulumtonte në çdo vrimë, u njoftua për rastin në fjalë. Arrestimi u krye menjëherë më motivin “sabotim”. Të gjithë u dënuan me nga gjashtë deri në tetë vjet burg, duke u bërë shembull që të tjerët të vinin mend. Lind pyetja ( e thënë nga Anxhelo), pse bunkeri me një bombë pranë tij, kthehej përmbys? Kjo është shumë e thjeshtë, sepse nuk kishte themel apo bazament lidhës.
Thjesht hapej një fole me përmasat e bunkerit e pasi sheshohej e nivelohej mirë vendi, me vinça vendoseshin elementët përbërës që ishin gjatë gjithsej, dy blloqe harkorë në ballë, dy kolona lidhëse të balloreve, kupola sipër tyre dhe një harkor në dalje të tij për mbrojtje në formë katrori. I çuditshëm është fakti së përse këto elementë përbërës të bunkerit nuk u lidhën me saldime siç ndodh kudo por… me bullona! Ndërsa në zonat malore, elementët që përbënin bunkerin, në mungesë të rrugë kalimit të makinave transportuese, transporti kryhej… me mushka!
BUNKERË EDHE PËR STREHIM
Edhe një rast i veçantë. Bunkerët gjigandë të topave të artilerisë, që për nga ana e vlerës financiare vlenin sa një apartament dhomë e kuzhinë, në shumë raste u shfrytëzuan si depo ose magazina. Në rrugën e Ndroqit, në një nga këta bunkerë u strehua një familje prej pesë personash. Të huajt që vinin në Shqipëri për të parë xhevairet e sistemit komunist, shkonin edhe tek bunkeri ku ishte strehuar familja. Pati edhe nga ata që u jepnin edhe dhurata apo ndonjë financim ndihme simbolike. Por, një çift turistësh nga Franca, jo vetëm që u dhanë një ndihmë goxha të mirë financiare, por kërkuan që djalin e madh të tyre rreth pesëmbëdhjetë vjeç t’a merrnin në Francë e ta punësonin. Dhe ashtu u bë, e punësuan në fermën e tyre në Bordo.
Imagjinoni se në çfarë situate ishte populli i Shqipërisë për strehim, kur flinin edhe dy-tre çifte të një familjeje, në një ambient prej dy dhomash e një kuzhinë. Pati edhe shumë bunkerë të instaluar në ambiente publike, të cilat më vonë aktivistët i lyen me bojëra si vepra arti. Aq bujë bëri në Europë sasia e madhe e bunkerëve në Shqipëri sa që ndërmarrjet e prodhimeve artistike, nga kërkesat e shumta prodhuan imitime bunkeri me alabastër, të cilat gjenden në treg akoma edhe sot. I ndodhur në një shërbim pune në Gjermaninë Lindore, në bisedë e sipër, duke folur për riparimin e dëmeve të luftës, dhe punës heroike të popullit gjerman, i cili bëri që në vitet 1985 aty nuk dallohej asnjë gjurmë lufte, gjermani me origjinë shqiptare, Shaban Yldirim, më thoshte që: -Sipas shtypit gjerman, sot kemi akoma edhe shtatë familje në Gjermaninë Lindore të pastrehuar, por edhe ata së shpejti do strehohen. Zot i madh, në ato vite (edhe sot), Shqipëria kishte pothuajse gjysmën e popullsisë pa strehim, por paratë shpenzoheshin për qendra zjarri e bunkerë pa pikë vlere.
INICIATIVA E MEHMETIT
Më vonë, me kalimin e kohës, bunkerëve mitralierë iu bënë disa ndryshime (prapë shpenzime drejt e në pus), duke u vendosur frëngjive sipër nga një vetullore. Këtë nismë të një tekniku të xhenios, Kryeministri Mehmet Shehu e mbështeti dhe e demonstroi me zell të madh në kodrat e Kamzës. Kështu, në prani të dhjetëra oficerëve madhorë dhe të ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, Mehmeti, i veshur me një palë çizme dhe pasi hoqi xhupin kinez, të veshur me gëzof nga brenda (me këta xhupa u kompletuan më pas të gjithë oficerët e ushtrisë sepse ishin jashtëzakonisht të mirë), mori një bel nga ushtari dhe pasi gërmoi një plis bari, e vendosi mbi vetulloren e salduar më parë mbi frëngjinë e bunkerit. Pasi e ngjeshi disa herë me grusht, u kthye e tha: -Ja kështu do bëhen të gjithë bunkerët mitralierë dhe tyta e mitralozit nuk do të dallohet nga lart. Pati edhe iniciativa të tjera të cilat më vonë u bënë ligj për repartet pranë fushave dhe kodrave pjellore siç ishin krijimi i NBU-ve, ndërmarrjeve bujqësore ushtarake ku ushtarët e reparteve, (ngaqë nuk kishin punë tjetër), mbillnin domate, presh, qepë, patate etj., për të lehtësuar barrën e mbajtjes së ushtrisë. Në Botë as e kishin parë, as e kishin dëgjuar këtë shpikje, alla komunistshe! Çdo reparti i ishte venë detyrë që rreth e rreth tij të ndërtonte qendra zjarri të mbështetura nga trupat xheniere me vinçat gjermanë “TADANO” me peshëmbajtje deri në tetë ton. Kurse për bunkerët me pjesë përdoreshin vinçat kinez “Flamuri i Kuq”.
Tunelet-bunker, në vendin tonë ishin të përhapur në shumë zona strategjike ku kishte fushë pamje për artilerinë. Ndër to më i kompletuari ka qenë ishulli i Sazanit, i cili kontrollonte edhe hyrjen për në Adriatik apo daljen për në Mesdhe. Aq i fortifikuar ka qenë Sazani, saqë nga një ishull i pabanuar, me ndërtimet xheniere, u ndërtuan edhe apartamente, shkolla, ambulanca e qendra sportive për ushtarakët e ishullit. Bile dikur Enver Hoxha shkruan se “Saza ni një shkëmb i veshur me hekur e beton është një kështjellë që kontrollon hyrje-daljet në detin Adriatik”. Deklarata bëhej kur në Mesdhe lëvizte Flota e Gjashtë Amerikane. Harronte “myteberi” që një flotilje ajrore prej qindra avionësh bombardues me bomba mbi pesëqind kilogram e kthenin ishullin e Sazanit të betonuar në tokë të …pluguar. Ashtu siç bënë avionët “Lancaster” mbi Gjermaninë e fortifikuar ose siç bëri Amerika në Iran!
TUNELET E NËNDETËSEVE
Në këtë gamë të shumanshme bunkerësh bënin pjesë edhe bunkerët (vendstrehimet) e nëndetëseve në Pashaliman apo të avionëve në Gjadër. Vendstrehimet e nëndetëseve, të cilat në marrëveshje me sovjetikët ishin tetë copë, e që po me marrëveshje mbajtëm katër copë, nuk janë siç thotë ndonjë analist në TV., apo ndonjë “komandant nëndetësesh se ato tunele janë nga më të mirat në botë. Vendstrehime të jashtëzakonshme e të papërsëritshme, mrekulli e forcës njerëzore (lexo, të të burgosurve të Kampeve të Përqendrimit) është e paimagjinueshme me vendstrehimet e nëndetësve gjermane të ndërtuara në bregdetin e Francës ku, trashësia e betonit është pesë metra, pastaj një boshllëk shtatëdhjetë centimetra, mbulohej prapë me një shtresë betoni dy metra. Pra, shtatë metra beton e hekur! Anglezët për këtë ndërtuan apostafat një bombë pesë tonëshe të quajtur “djali i vogël” për t’i shkatërruar ato. Informacionet për tunelet, anglezët i morën nga një militant francez (sot Hero i Francës) i cili pak para fundit të luftës u kap, u torturua dhe u ekzekutua nga Gestapo. Tunelet e nëndetëseve në ujë, i ndërtuam ne, por inxhinierët dhe specialistët ishin…kinezë!
Në vitin 1974, u ndodha me pushime në hotel “Vollga” në Durrës, vetëm për të huajt. Aty ishin sistemuar rreth 50 inxhinierë e teknikë kinezë të ardhur me vaporin kinez me emrin “VAMPO”. Këtë vapor transoqeanik dyzet e pesë mijë tonësh, qeveria shqiptare e bleu dhe i vuri emrin “VLORA”, i cili në eksodin e vitit 1990 u mbush deri në majë të direkëve me shqiptarë për në Itali. Këtë informacion sekret për inxhinierët e teknikët kinezë e mora nga njeri prej kuzhinierëve kinezë (ata gatuanin veçmas te hoteli) kur e pyeta se ku shkojnë këta turistë kinezë çdo ditë me autobus? Koinçidoi që ai dinte italisht dhe m’u përgjigj: -Shkojnë ne lumin Vjosa ku kërkojnë e sigurojnë gurë lumi për të bërë sy fallco për qorrat! Kinezëri! Kurse guzhinieri me të cilin u afruam më shumë duke dhënë e duke marrë dhurata, m’u përgjegj: -Ata janë inxhinierë dhe teknikë që kanë kohë që punojnë për ndërtimin e tuneleve tuaja për nëndetëset, se ju shqiptarët nuk keni eksperiencë në atë sektor. Saktë! Ne nuk kishim haber për ndërtime në ujë, që është një teknologji specifike për kësi punimesh. Viti 1976 shënoi edhe fundin e “muajit të mjaltit” me Kinën. Ndihma e tyre u reduktua në maksimum. Pjesë ndërrimi për uzinar dhe fabrikat nuk po vinim më si më parë.
Ata nuk shfaqnin më interes për Shqipërinë. Sytë i kishin drejtuar nga Jugosllavia me të cilën kishin forcuar lidhjet e tyre, lidhje që vazhdojnë edhe sot me Vuçiçin. Pra, ekonomia po merrte të tatëpjetën, kishin filluar të shfaqeshin racionet dhe tolonat. Ekonomia po shkonte poshtë në të gjithë sektorët. Kjo dihet se ajo është e lidhur zinxhir. Një traktor pa pjesë këmbimi është pa vlerë, kur ky traktor mungon në fushë, kjo mungesë sjell mos prodhim të grurit e kështu me rradhë. Ama, bunkerët jo, për ta Enveri do ta mbante qesenë e parave të hapur.
Duhej që botës t’i tregonim se ne jemi të armatosur por edhe të bunkerizuar në çdo cep të Shqipërisë, gjatë gjithë kufirit detar e tokësor. Paradat pompoze me tanke e raketa kanë dalë nga roli i tyre parësor, kjo për faktin se teknologjia e përdorur ka dalë jashtë kohe. Mjetet tona luftarake të viteve 1980-1990 në vendet furnitore si Kina kishin dalë me kohë jashtë përdorimit. Pa diskutuar pastaj për pjesët e ndërrimit, sepse kur del një uzinë tankesh T-54 jashtë përdorimit duke prodhuar tankun (automatik) T-90, automatikisht mbyllet edhe prodhimi i pjesëve. Pale, bunkerët (vendstrehimet e lagjeve) nga të cilët kishte edhe nëpër vende strategjike të ndërtuara me pjesë shufrash betoni me tela (jo hekur) brenda. Modelin e keni pranë Kryesisë së Kuvendit Popullor (ish Komiteti Qendror i PPSH) sepse këto përveç strehimit për popullsinë e qyteteve u përdorën me shumicë edhe nëpër miniera si tunele mbrojtjeje nga gurët! Në Shqipëri thuhet se pati shtatëqind mijë bunkerë (700 000) të llojeve të ndryshme, por shifër të saktë nuk ka sepse dokumentet për bunkerë, ashtu si shumë dokumente të tjera, u zhdukën nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 1992.
Autori, drejtor i revistës “Hosteni”

