Protagonistë të asaj që në 2015-ën u quajt “meçi i shekullit”, dy boksierët ishin tërhequr, por do të rikthehen në ring.
Një javë më parë Floyd Mayweather kishte njoftuar rikthimin në boks. Tani Netflix ka zyrtarizuar rikthimin për një nga ndeshjet më të shumëpritura kundër Manny Pacquiao. Kjo ndeshje do të zhvillohet më 19 shtator dhe do të jetë sfida e parë e boksit në Sphere të Las Vegasit.
Mayweather dhe Pacquiao ishin përballur për herë të parë më 2 maj 2015. Mayweather fitoi me vendim unanim. Përballja, që ishte programuar nga 2009-a, u quajt “ndeshja e shekullit”, por zhgënjeu, ndërsa më pas u mësua se Pacquiao kishte pasur një dëmtim në shpatull.
Tani, 11 vite më pas, ja ku vjen sfida tjetër. Pacquiao, 47 vjeç, kishte dalë në “pension” që nga 2021-shi. Pas një tentative të dështuar për të kandiduar për president i Filipineve në 2022-shin, si dhe një tentative të dështuar për t’u rizgjedhur në Senat, u kthye të praktikojë boksin dhe barazoi kundër Mario Barrios në korrik të 2025-ës.
Mayweather është 48 vjeç dhe është tërhequr nga boksi profesionist në 2017-ën. Që atëherë ai ka marrë pjesë në ndeshje ekzibicioni (e fundit kundër John Gotti III në gusht 2024). Ai ka një rekord përfekt prej 50 fitoresh, 27 me ko, dhe asnjë humbje

