Donald Trump mbajti fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit të martën në mbrëmje, duke përshëndetur atë që ai e quajti një “pikë kthese ” amerikane që do të ndihet për shekuj me radhë.
Në një kohë kur sondazhet tregojnë se shumë amerikanë janë të pakënaqur me gjendjen aktuale të vendit dhe me udhëheqjen e Trump, presidenti amerikan nuk dha asnjë shenjë për një ndryshim kursi.
Në vend të kësaj, ai foli për një thirrje patriotike për mbështetësit e tij besnikë dhe nuk i kurseu ironitë për kundërshtarët e tij politikë.
Fjalimi i tij nisi me fraza të dëgjuara edhe më herët nga si; se “Kombi ynë është rikthyer”. Në një moment, pasi akuzoi demokratët për krijimin e një krize “përballueshmërie”, ai shtoi: “Ne po ia dalim shumë mirë”.
Trump vuri në dukje rritjen e të ardhurave, një treg aksionesh në lulëzim, çmime më të ulëta të benzinës, një kufi jugor me imigracion të paligjshëm të reduktuar në mënyrë dramatike dhe inflacionin e kontrolluar. “Vendi ynë po fiton përsëri”, përfundoi ai.
Sfida për presidentin është se vlerësimet e miratimit të tij nga publiku po luhaten rreth 40% dhe publiku amerikan dëshiron që ai të bëjë më shumë për të adresuar shqetësimet e tyre.
Muajin e kaluar ai mbajti një fjalim nga Shtëpia e Bardhë në të cilin ngriti çështje të ngjashme dhe përmendi statistika të ngjashme, por kjo nuk arriti ta bindte publikun.
Presidenti dhe ndihmësit e tij duket se shpresojnë që me një audiencë më të madhe për fjalimin për Gjendjen e Kombit , i cili pritet të numërojë dhjetëra milionë pjesëmarrës, rezultatet do të jenë të ndryshme.
Në fjalimin e tij gati dy-orësh, ai përsëriti një sërë idesh, duke përfshirë llogari të reja pensioni për amerikanët e klasës punëtore dhe një marrëveshje me kompanitë e inteligjencës artificiale për të siguruar energji elektrike të mjaftueshme për objektet e tyre, në mënyrë që të shmangen faturat më të larta që u dalin konsumatorëve.
Ai bëri propozime të reja, të tilla si një plan kujdesi shëndetësor që u siguron pagesa të drejtpërdrejta amerikanëve për të mbuluar primet, një ligj që u kërkon të gjithë votuesve të vërtetojnë shtetësinë e tyre dhe një ndalim për lëshimin e patentave tregtare për emigrantët e paligjshëm.
Gjithashtu u zotua të vazhdojë të shtyjë përpara regjimin e tij të gjerë tarifor, edhe pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Lartë të premten e kaluar që rrëzoi shumë nga tarifat që ai kishte vendosur më parë. Tre nga gjyqtarët që kishin vendosur kundër presidentit mbetën pa fjalë ndërsa shikonin nga rreshti i parë.
BBC shkruan se vëren se kur Trump iu drejtua çështjes së emigracionit, atmosfera u tensionuar. Referenca e Trump ndaj asaj që ai e quajti kërcënim nga “të huajt e paligjshëm” shkaktoi disa nga duartrokitjet më të forta nga republikanët në dhomë, por dhe britma të zemëruara dhe vështrime “të ngrira” nga demokratët.
Çështja e imigracionit ka qenë një nga pikat e forta politike të Trump, por zbatimi i tepruar i ligjit në Minneapolis, i cili rezultoi në vdekjen e dy qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë, e ka dëmtuar ndjeshëm reputacionin e tij.
“E vetmja gjë që qëndron midis amerikanëve dhe kufijve të hapur tani është Presidenti Donald Trump dhe patriotët tanë të mëdhenj republikanë në Kongres ”, tha ai.
Për momentin, erërat politike po fryjnë kundër presidentit. Por Trump mund të besojë se atmosfera publike është gati për një ndryshim.
Ndoshta ai është i bindur se amerikanët do të fillojnë të ndiejnë përfitimet ekonomike të politikave të tij. Ose ndoshta ai beson se atmosfera do të ndryshojë, me një ndjenjë të ripërtërirë patriotizmi, gjatë festimeve të 250-vjetorit të kombit këtë verë.

