Gjermania ka hapur rrugën për një investim të madh në armatim, duke miratuar fillimisht 540 milionë euro për blerjen e dronëve kamikazë, ndërsa plani afatmesëm parashikon që shpenzimet të rriten deri në 4.4 miliardë euro.
Sipas agjencisë DPA, drita jeshile është dhënë nga Komiteti Buxhetor i Bundestag. Faza e parë e projektit ka një kufi maksimal prej 1 miliard eurosh.
Dronët do të furnizohen nga kompanitë gjermane Helsing dhe Stark Defence, ndërsa Ministria e Mbrojtjes synon të porosisë disa mijëra njësi në vitet e ardhshme.
Brigada e parë që do të pajiset me këtë teknologji do të jetë ajo gjermane e dislokuar në Lituani, në kuadër të forcimit të krahut lindor të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi vendimin si një hap strategjik, duke theksuar se përvoja e luftës në Ukrainë ka dëshmuar rëndësinë e dronëve në fushëbetejë.
Megjithatë, gjatë debatit parlamentar u ngritën shqetësime lidhur me përfshirjen e investitorit amerikan Peter Thiel në kompaninë Stark Defence dhe ndikimin e tij të mundshëm, duke pasur parasysh lidhjet e tij me ish-presidentin amerikan Donald Trump.

