Teksa afron afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe partitë politike ende nuk kanë dalë me një emër konsensual, në studio të emisionit Rubikon është diskutuar edhe për profilin e mundshëm të kandidatit.
Opinionisti, Avni Arifi, ka vlerësuar se Ramush Haradinaj i përmbush kriteret për postin e presidentit, duke theksuar përvojën politike, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe profilin e tij si figurë unifikuese.
“Nëse po flasim për parametra të përvojës, Ramushi i përmbush ato. Nëse flasim për raporte me SHBA-të, kërkush në Kosovë s’ka raporte më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara se Ramush Haradinaj. Nëse flasim si faktor potencial i unitetit në Kosovë, s’besoj që ka profil që mund të ndërtohet më mirë për të qenë faktor i unitetit se Ramush Haradinaj”, tha Arifi.
Ai shtoi se situata rreth zgjedhjes së presidentit do të mund të kishte marrë drejtim tjetër në rast se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të dilnin me emrin e Haradinajt si një kandidat i përbashkët.
“Në të kaluarën ka pasur disa situata kur, edhe kur Kurti ka qenë i sëmurë, Haradinaj i është afruar. Anën njerëzore dhe empatinë pak ka njerëz në Kosovë e kanë më të zhvilluar se Ramush Haradinaj. Ka pasur histori të këqija edhe me PDK-në edhe me LDK-në, por kur është në pyetje ana njerëzore dhe atdhedashuria, kërkush s’mundet me u matë me Ramushin. Të kishin shku Bedriu dhe Lumiri me kandidat të përbashkët e me qenë Ramushi, do të kishte qenë tjetër temë. Nuk e di a kanë biseduar, si kanë rrjedhë ato, pse s’kanë shku në atë formë”, tha Arifi.
Sipas Arifit, Haradinaj beson se do të mund t’i siguronte votat e nevojshme në Kuvend në rast se do të propozohej për president.
“Ai beson se ka përkrahje te shumë deputetë, beson se edhe në Vetëvendosje ka, sepse rruga e tij jetësore ka qenë e tillë që me shumë njerëz nga partitë, pa marrë parasysh që njerëzit kanë preferenca partiake, njerëzit e njohin. Ai beson se me të vërtetë zgjidhet, por siç duket këta (PDK dhe LDK) nuk kanë vendosur çfarë profili duan.”

