Ish-presidenti amerikan Bill Clinton pritet të dëshmojë këtë të premte, 27 shkurt, para ligjvënësve amerikanë lidhur me raportet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual dhe abuzime ndaj të miturve.
Seanca do të zhvillohet para anëtarëve të Komiteti i Mbikëqyrjes së Kongresit, një ditë pasi në një dëshmi me dyer të mbyllura mori pjesë bashkëshortja e tij, Hillary Clinton.
Në deklaratën hapëse, Hillary Clinton tha se nuk kujton të ketë takuar ndonjëherë Jeffrey Epstein, se nuk ka udhëtuar me avionin e tij privat dhe as nuk ka vizituar ishullin apo pronat e tij. Ajo shtoi se nuk ka asnjë informacion shtesë për të ofruar lidhur me hetimet mbi veprimtarinë e tij.
Megjithatë, dokumente të bëra publike para miratimit të ligjit për transparencën e dosjeve të Epstein-it tregojnë se Bill Clinton ka udhëtuar disa herë me avionin privat të Epstein-it gjatë viteve 2002–2003, pas përfundimit të mandatit presidencial (1993–2001). Sipas këtyre të dhënave, ai ka qenë në të paktën 17 fluturime, përfshirë udhëtime në Siberi, Marok, Kinë dhe Armeni.
Në disa prej këtyre udhëtimeve, sipas dokumenteve, kanë marrë pjesë edhe figura publike si aktori Kevin Spacey dhe komediani Chris Tucker. Clinton ka mohuar vazhdimisht se ka pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein-it dhe ka deklaruar se nuk ka vizituar kurrë ishullin e tij privat.
Nga ana tjetër, Hillary Clinton deklaroi para ligjvënësve se nuk ka asnjë dijeni për krimet e pretenduara të Epstein-it apo të bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell. Ajo theksoi se Maxwell e njeh vetëm si një njohje të rastësishme dhe jo si bashkëpunëtore të afërt.
Dëshmia e saj zgjati mbi gjashtë orë dhe u zhvillua në një seancë të mbyllur për publikun. Seanca e Bill Clinton pritet të përqendrohet në natyrën e marrëdhënies së tij me Epstein-in dhe në rrethanat e udhëtimeve me avionin privat të financierit.

