Në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohen deklaratat hyrëse në çështjen penale ndaj Hashim Thaçit dhe bashkë të akuzuarve, ku Prokuroria e Specializuar (ZPS) ka paraqitur pretendime për përpjekje të ndikimit në dëshminë e një dëshmitari kyç.
Sipas ZPS-së, bëhet fjalë për dëshminë e Rrustem Mustafës, i njohur si Remi, i cili ishte planifikuar të dëshmonte në Hagë. Gjatë seancës u publikuan audio-incizime të një bisede të zhvilluar në korrik të vitit 2023 mes Thaçit dhe Fadil Fazliu, në kohën kur Fazliu e kishte vizituar atë në paraburgim.
Prokurori Joshua Hafetz deklaroi se në këtë komunikim, Thaçi dyshohet se ka dhënë udhëzime lidhur me mënyrën se si duhet të dëshmonte Mustafa, me qëllim që – sipas Prokurorisë – të minimizohej përgjegjësia e tij.
Sipas pretendimeve të paraqitura në sallë, pasi Thaçi kishte marrë informacion për kohën e dëshmisë së Mustafës, djali i Fazliut e kishte kontaktuar dëshmitarin. Më pas, sipas ZPS-së, ishte zhvilluar edhe një takim mes Mustafës dhe njërit prej të akuzuarve.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve po ndiqet me vëmendje të lartë publike, ndërsa mbrojtja pritet t’i kundërshtojë pretendimet e Prokurorisë gjatë fazave të ardhshme të gjykimit.

