Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, ka nisur mandatin e ri qeverisës mes kritikave për mënyrën e trajtimit të pagave në sektorin publik. Në vend të rritjes së vlerës monetare të koeficientit në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, ekzekutivi ka vënë në qendër të diskutimit publik përfitimin e “pagës së 13-të” për zyrtarët që paguhen nga buxheti i shtetit.
Sipas kritikëve, kjo qasje ka zhvendosur vëmendjen nga mungesa e rritjes së vlerës monetare të koeficientit, siç parashihet në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik (08/L-196). Në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026 nuk parashihet rritje e koeficientit, ndonëse neni 9 i Ligjit për Pagat përcakton se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”. Aktualisht, kjo vlerë mbetet 110 euro, e pandryshuar nga vitet e kaluara.
Në kushtet e inflacionit të lartë dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës, mijëra shërbyes publikë – nga administrata qendrore dhe lokale, te arsimi e shëndetësia – do të vazhdojnë të paguhen mbi të njëjtin bazament financiar. Një pagë e 13-të, edhe nëse realizohet, konsiderohet si kompensim i përkohshëm që nuk ndikon në strukturën afatgjatë të pagave, pensioneve dhe shtesave që llogariten mbi bazën e koeficientit.
Vlera monetare e koeficientit përbën themelin e sistemit të pagave në sektorin publik. Çdo pozitë ka një koeficient të caktuar, i cili shumëzohet me vlerën monetare të miratuar. Nëse kjo vlerë nuk ndryshon, paga bazë mbetet e njëjtë, pavarësisht lëvizjeve të çmimeve në treg.
Një shembull ilustrues: një zyrtar me koeficient 9, me vlerën aktuale prej 110 eurosh, paguhet 990 euro në muaj. Me një pagë të 13-të, ai do të përfitonte 990 euro shtesë në vitin 2026. Por nëse koeficienti do të rritej në 150 euro, paga mujore do të shkonte në 1,350 euro – ose 360 euro më shumë çdo muaj, që përkthehet në 4,320 euro më shumë brenda vitit.
Në këtë kontekst, ekonomistë dhe përfaqësues sindikalë vlerësojnë se mungesa e rritjes së koeficientit ka ndikim shumë më të madh afatgjatë sesa një pagesë e vetme shtesë. Debati për pagën e 13-të, sipas tyre, nuk e zëvendëson nevojën për një rishikim strukturor të pagave në përputhje me zhvillimet ekonomike dhe barrën në rritje të shpenzimeve për familjet kosovare.

