Shukri Buja propozon Jakup Krasniqin për president: Verdikt politik për luftën dhe mesazh për drejtësinë ndërkombëtare

by informim peje

Shukri Buja nga Partia Demokratike e Kosovës ka komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke propozuar Jakup Krasniqin për këtë pozitë.

Buja ka thënë se Krasniqi është një personalitet atdhetar, i sakrificës dhe përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale.

banner

Në postimin e tij, ai thekson se zgjedhja e Krasniqit si president do të ishte “verdikt i qartë politik i popullit” të Kosovës dhe një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare, duke treguar qartë qëndrimin e qytetarëve për udhëheqësit e luftës çlirimtare.

Tutje, Buja ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë këtë propozim, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës “mund ta kundërshtojë po aq sa mund ta përkrahë”.

Ai ka shtuar se edhe Lista Guxo dhe në veçanti Vjosa Osmani “do të dëshmonin se pjesëmarrja e tyre në protesta ishte bindje e sinqertë për pafajësinë e çlirimtarëve”.

Postimi i plotë:

“Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Të nderuar kryetarë të subjekteve politike parlamentare!

Kosova po gjendet në një rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore, një bllokadë pa dalje. As zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale.

Vendi ynë ka nevojë për një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm.

Prandaj po paraqes një propozim që e konsideroj zgjidhjen më të drejtë, më të qëlluar politikisht dhe më të qëndrueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.

Kjo është një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë.

Janë vetë përfaqësuesit e popullit ata që, me votën e tyre, e miratuan rezolutën dhe e obliguan vetveten për procesin e Dhomave të Specializuara.

Sot, po me votën e tyre, ata mund të japin verdiktin politik dhe moral të popullit për pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë.

Propozimi im, i dalë nga zemra dhe mendja, natyrisht do të ishte ish-presidenti Hashim Thaçi.

Por, duke njohur qëndrimet e LVV-së, të z. Kurti, të znj. Osmani dhe të koalicionit qeverisës, e kuptoj se kjo mund të jetë politikisht e vështirë për t’u realizuar.

Megjithatë, ky qëndrim refuzues nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për një personalitet tjetër të luftës, një figurë për të cilën askush nuk mund të thotë se ka përkrahur Dhomat e Specializuara, që nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake dhe nuk është figurë përçarëse.

Propozimi im është i qartë: z. Jakup Krasniqi.

Një personalitet atdhetar, i sakrificës, i përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale.

Një njeri që sot ndodhet në burg, por nuk është i dënuar.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë prezumimin e pafajësisë dhe rregullon edhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të presidentit në rast pamundësie të përkohshme.

PDK dhe AAK nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë.

LDK mund ta kundërshtojë po aq sa mund ta përkrahë.

Lista Guxo dhe, në veçanti, znj. Osmani do të dëshmonin se pjesëmarrja e tyre në protesta ishte bindje e sinqertë për pafajësinë e çlirimtarëve.

Zgjedhja e z. Jakup Krasniqi si president nga deputetët e Kuvendit do të ishte verdikt i qartë politik i popullit të Kosovës.

Do të ishte një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare, që tregon qartë se cili është qëndrimi i këtij populli për udhëheqësit e luftës së tij çlirimtare.

Ky është moment historik për përgjegjësi!

Me respekt,

Sh. Buja”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy