Ndërmarrja “Trepça” ka bërë të ditur se nga thellësitë e minierës është nxjerrë një kristal i jashtëzakonshëm, me përmasa 1.40 metra lartësi dhe 1.20 metra gjerësi, duke e cilësuar atë si një nga formacionet më mbresëlënëse të zbuluara së fundmi.
Në njoftimin zyrtar, kompania ka falënderuar minatorët e Horizontit XI – Ndërrimi C, të cilët, sipas saj, me profesionalizëm, përkushtim dhe guxim të përditshëm mundësuan nxjerrjen e kristalit nga zemra e nëntokës.
Sipas ndërmarrjes, ky zbulim përfaqëson më shumë sesa një formacion të rrallë mineralogjik. “Ky kristal është simbol i punës së palodhur, traditës shekullore dhe shpirtit të pathyeshëm të minatorëve të Trepçës”, thuhet në reagim.
“Trepça” konsiderohet një nga asetet më të rëndësishme minerare në vend, me një histori të gjatë në industrinë nxjerrëse dhe me rol të veçantë në zhvillimin ekonomik.

