Ambasada e Kosovës në Izrael ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve kosovarë që ndodhen në Izrael, pas sulmit të fundit të ndërmarrë nga Izraeli ndaj Iranit dhe tensionimit të situatës së sigurisë në rajon.
Përmes një njoftimi publik, ambasadorja u ka bërë apel bashkatdhetarëve që të tregojnë vigjilencë të shtuar, të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore për sigurinë.
Ajo ka bërë të ditur se , në koordinim me Ambasadën, po monitoron nga afër zhvillimet aktuale dhe mbetet në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë për qytetarët e Kosovës.
Sipas njoftimit, për çdo situatë urgjente, shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael mund të kontaktojnë në numrin emergjent +972 586 340450. Ambasadorja ka theksuar se ky numër është i dedikuar ekskluzivisht për qytetarët që gjenden në territorin izraelit dhe nuk është i destinuar për kërkesa nga mediat.
Institucionet kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të informojnë rregullisht publikun për çdo zhvillim të ri lidhur me situatën.

