Analistët: Dialogu me Serbinë, kusht për integrimin në BE – pa të, rrezikohet izolimi i Kosovës

by informim peje

Njohës të çështjeve politike në Kosovë kanë theksuar rëndësinë e dialogut Kosovë–Serbi si të domosdoshëm për avancimin e agjendës evropiane dhe për shmangien e izolimit politik të vendit.

Sipas tyre, vazhdimi i bisedimeve është kyç për stabilitetin politik dhe diplomatik të Kosovës, si dhe për respektimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

banner

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, theksoi se Bashkësia Ndërkombëtare e sheh dialogun si mënyrën e vetme për avancimin e Kosovës në agjendën evropiane. Ai paralajmëroi se çdo vonesë apo bllokadë në dialog do të ndikojë drejtpërdrejt në rrugën eurointegruese të vendit.

“Bashkësia ndërkombëtare është absolutisht e qartë në raport me dialogun. Dialogu është e vetmja mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në agjendën evropiane. Nuk ka asnjë qasje tjetër. Çdo vonesë apo bllokadë e dialogut është njëkohësisht bllokadë dhe vonesë e rrugës evropiane të Kosovës”, tha ai.

Muhaxhiri nënvizoi se kthimi i palëve në tavolinën e bisedimeve është kërkesë e përbashkët e partnerëve ndërkombëtarë.

“U pa që në të gjitha urimet – nga presidenti Macron, nga kancelarja Merkel dhe të tjerë – kryefjala ishte vazhdimi i dialogut dhe rikthimi në tavolinën e bisedimeve. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që zoti Kurti ta shmangë izolimin pa dialog. Deklaratat populiste për konsum të brendshëm janë diçka tjetër, por pa rikthim në Bruksel, edhe zoti Kurti edhe Kosova rrezikojnë izolim politik”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, politologu Albinot Maloku tha se faza aktuale e dialogut do të fokusohet në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023, përfshirë edhe aneksin e zbatimit.

“Kemi kryenegociatorin dhe dialogu do të zhvillohet në drejtim të implementimit të pajtimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023, përfshirë edhe aneksin. Tani do të kemi dialog për jetësimin e marrëveshjeve të arritura. Këtë e kërkon faktori ndërkombëtar, posaçërisht Bashkimi Evropian, i cili e ka rolin e lehtësuesit në këtë proces”, tha ai.

Maloku vlerësoi se suksesi në dialog është i ndërlidhur drejtpërdrejt me progresin eurointegrues të Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi se kryenegociatori i ri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka potencial të zbusë tensionet dhe të bëjë procesin e implementimit më të pranueshëm në opinionin publik.

“Anëtarësimi në BE, si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, është i ndërlidhur fuqishëm me suksesin në dialog. Nuk ka alternativë tjetër. Shpresoj që me kryenegociatorin e ri të ketë qasje më të balancuar, në mënyrë që implementimi i marrëveshjeve të jetë më i pranueshëm dhe më i qartë për qytetarët”, tha Maloku./EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy