Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e tij për veprimet e SHBA ndaj Iranit, duke theksuar se Kosova qëndron pa mëdyshje pranë aleatit të saj strategjik.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj deklaroi se liria për popullin iranian është më afër se kurrë dhe se Kosova mbështet fuqishëm përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe rendit demokratik ndërkombëtar.
“Kosova qëndron fuqimisht dhe pa mëdyshje pranë aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në krah të paqes, sigurisë dhe rendit demokratik ndërkombëtar. Ne besojmë fuqishëm se liria dhe demokracia do të triumfojnë. Historia ka treguar se kur kombet e lira qëndrojnë së bashku, asnjë sfidë nuk është e pakalueshme,” ka shkruar Haradinaj.

