Mediat izraelite kanë raportuar se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë, pasi sipas tyre janë humbur të gjitha kontaktet me të pas sulmeve të fundit ajrore.
Sipas raportimeve, ndër objektivat e goditura të shtunën në mëngjes ka qenë edhe pallati i Udhëheqësit Suprem në Teheran, i cili pretendohet se është shkatërruar plotësisht. Po ashtu, thuhet se dhjetëra objektiva të tjera ushtarake dhe struktura të lidhura me regjimin janë goditur në pjesë të ndryshme të vendit.
Një zyrtar izraelit, i cituar nga mediat, ka deklaruar se në shënjestër kanë qenë edhe presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, si dhe komandantë të lartë të ushtrisë dhe të strukturave të sigurisë. Megjithatë, rezultatet e sakta të sulmeve mbeten të paqarta.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me fatin e Khameneit, ndërsa situata në rajon vazhdon të mbetet e tensionuar.

