Komisioni për shqyrtimin e kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike pranë Dhomave të Specializuara në Hagë ka shfuqizuar një vendim të mëparshëm që kishte aprovuar mbulimin e shpenzimeve për Bashkim Smakajn, Hysni Kilajn, Hajredin Kuçin dhe Fadil Fazliun në Hagë.
Divizioni përkatës i Ministrisë së Drejtësisë ka njoftuar se vendimi i mëparshëm, i nxjerrë më 16 shkurt 2026 (Vendimi nr. 04/2026), ishte në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, si dhe me aktet nënligjore përkatëse.
Pas shqyrtimit të hollësishëm, më 25 shkurt 2026, Komisioni ka nxjerrë Vendimin nr. 05/2026, me të cilin është shfuqizuar vendimi paraprak dhe është harmonizuar procesi me legjislacionin në fuqi.
Ministria ka bërë të qartë se ministrja nuk ka marrë vendim personal lidhur me këtë çështje, pasi përgjegjësia për vendimmarrje i takon Komisionit të emëruar dhe funksional para marrjes së detyrës nga ajo.
Sipas legjislacionit, mbështetja financiare e Ministrisë së Drejtësisë përfshin vetëm udhëtimet e anëtarëve të ngushtë të familjeve të të akuzuarve potencial jashtë vendit për qëllime të procedurave gjyqësore.

