Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas sulmit ushtarak të ndërmarrë nga SHBA ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke shprehur mbështetje të hapur për veprimin dhe për presidentin Donald Trump.
Në reagimin zyrtar thuhet se regjimi iranian ka shtypur për dekada popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sipas deklaratës, veprimi i SHBA-së synon të frenojë regjimet që kërcënojnë popujt e lirë dhe të mbrojë stabilitetin global.
“Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”, thuhet në reagim.
Ministria, e udhëhequr nga Glauk Konjufca, thekson se regjimet që shtypin qytetarët e tyre dhe mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike nuk mund të jenë faktor paqeje. Në deklaratë nënvizohet se liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.
Në fund, MPJ shpreh solidaritet me popullin iranian, duke theksuar mbështetjen për një të ardhme të lirë dhe demokratike për Iranin.

