Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar me një deklaratë mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke riafirmuar mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
“Ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump,” theksoi Osmani, duke nënvizuar angazhimin e Kosovës në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Në deklaratë, Osmani dënoi fuqishëm sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve të SHBA-së dhe bëri thirrje për vazhdimin e veprimeve të ndërmarra nga Uashingtoni dhe partnerët e tij për të sjellë fundin e regjimit iranian dhe për të dhënë popullit të këtij vendi një mundësi reale për liri dhe paqe.
Deklarata e Presidentes Osmani vjen në një moment të tensionuar ndërkombëtar, duke theksuar solidaritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe rolin e saj aktiv në mbështetje të vlerave demokratike dhe të sigurisë globale.

