Bashkimi Evropian pritet të marrë vendim për heqjen përfundimtare të të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës, me sinjale nga Brukseli se ky hap mund të formalizohet që javën e ardhshme.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Komisioni Evropian i ka përmbyllur procedurat e nevojshme vendimmarrëse. Tashmë ka mbetur vetëm takimi i përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së, të ngarkuar me çështjet e rajonit, ku pritet të miratohet zyrtarisht heqja e masave. Sipas të njëjtave burime, e hëna përmendet si datë orientuese për vendimin final.
Masat ndaj Kosova u vendosën në vitin 2023. Një vit më vonë, ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre, por procesi i formalizimit zgjati mbi 18 muaj.
Si pasojë e këtyre masave, mbi 400 milionë euro asistencë financiare evropiane u bllokuan. Në fund të vitit 2025 u hoq gjysma e masave financiare, ndërsa pjesa e mbetur pritet të zhbllokohet me vendimin e ri.
Në kuadër të masave ndëshkuese ishte edhe pezullimi i takimeve bilaterale ndërmjet zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, përveç rasteve kur takimet organizoheshin në format rajonal.
Ndërkohë, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila ende nuk e ka vizituar Kosovën që nga marrja e detyrës, planifikon një vizitë gjatë këtij muaji. Sipas zyrtarëve evropianë, skenari ideal do të ishte që gjatë kësaj vizite të komunikohej edhe vendimi për heqjen e plotë të masave.

