Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër pas sulmeve me raketa të Iranit ndaj Dubait, duke i cilësuar ato si një akt që cenon stabilitetin rajonal dhe perspektivën për paqe në Lindjen e Mesme.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Rama theksoi se goditja e Dubait – të cilin e përshkroi si një “oaz paqeje” – zbulon natyrën e regjimit në Teheran. Sipas tij, sulmet përfaqësojnë një përpjekje për të eksportuar dhunë dhe për të destabilizuar një rajon që, siç u shpreh ai, ka zgjedhur zhvillimin dhe bashkëpunimin përballë konfliktit.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi rolin e Emiratet e Bashkuara Arabe si një model i promovimit të paqes, dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare, duke theksuar se goditja ndaj këtij shteti është goditje ndaj vetë idesë së një Lindjeje të Mesme moderne dhe të qëndrueshme.
Rama shprehu solidaritet të plotë me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke nënvizuar se siguria në Gjirin Persik është çështje me rëndësi globale, pasi ndërlidhet drejtpërdrejt me stabilitetin energjetik, tregtar dhe atë të sigurisë ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, ai bëri thirrje për një qëndrim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar kundër agresionit dhe sulmeve ndaj objektivave civile, duke theksuar se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi integrim ekonomik, njohje të ndërsjellë dhe udhëheqje të përgjegjshme.
Sulmet vijnë në një kontekst tensionesh të larta në rajon, pas raportimeve për vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, gjatë sulmeve ajrore të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar duke e cilësuar Khamenein si “një nga njerëzit më të këqij në histori” dhe duke u bërë thirrje iranianëve që “të marrin mbrapsht vendin e tyre”.

