Saga rreth postit të presidentit po vazhdon. Ende nuk ka një emër, lëre më një pajtim mbi atë emër. Tani sërish po flitet se vendi mund të shkojë në zgjedhje si pasojë e mungesës së dakordimit se kush duhet të vijë në atë karrige.
Lidhur me këtë situatë, analistja Aida Dërguti ka thënë që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka gjithë komoditetin të shkojë apo të mos shkojë në zgjedhje.
Sidoqoftë, Dërguti e konsideroi të pandershme që Kurti prapë lakoi Jasharët për postin e presidentit, ndonëse ata kanë refuzuar.
“Tash e kohë kemi një përçudnim të funksionimit të institucioneve shtetërore, dhe pop ashtu një stërkeqje të demokracisë, pra ku ecet nëpër teh mes legjitimitetit dhe legalitetit, dhe besoj që tashmë Kurti ka komoditetin siç po shihet, të tallet me të gjithë”, ka thënë Dërguti në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Por mendoj që është shumë e pandershme që edhe sot ua lakon emrin Jasharëve, ashtu siç ka qenë e pandershme një javë para skadimit të afatit, shkoi me ofertë për të kërkuar një emër për president nga familja Jashari”.
“Megjithëse e konsideroj që në postin e presidentit mund të ulet gjithkush, por në ulësen ku qëndron familja Jashari nuk mund të ulet askush”.
“Sot m’u duk shumë e panevojshme dhe e pandershme ta lakojnë emrin për sa kohë nga bisedimet me partitë e tjera pra veçse janë folur edhe për opsione të tjera”.
“Pas refuzimit të familjes Jashari, në takimi ne radhës që ka pasur me PDK-në, ata i kanë propozuar që të kenë një kandidat të tyre, sidoqoftë, në situatën ku jemi, mendoj që ka gjithë komoditetin të shkojë në zgjedhje apo edhe të mos shkojë në zgjedhje”.
Ndërkaq, politologu Melazim Koci, është më i rezervuar sa i përket situatës me presidentin/en.
Sipas Kocit, ndonëse krerët e VV-së heshtin kur përmendet emri i Vjosa Osmanit për presidente, simpatizantët e VV-së, në numër të madh, anojnë nga ajo.
“Zonjën Osmani nuk e përmendin eksponentët e lartë të Vetëvendosjes, ndryshe, e hetoj në rrjete sociale, që simpatizantët e VV-së kryesisht anojnë nga zonja Osmani”, tha Koci.
“Tani e kam të vështirë të them pse kreu i Vetëvendosjes e hesht, ndonëse para një muaji e gjysmë, në një intervistë që e pati dhënë z. Kurti, praktikisht e pati bërë të qartë që zonja Osmani nuk është favoritja e tij”.
“Pat thënë që nëse nuk do të kenë marrëveshje me opozitën, rrezikojnë të shkojnë në zgjedhje. Do të thotë, kërkonte konsensus, por tani shohim diçka tjetër. Tani shohim ikje nga konsensusi, madje kisha për të thënë kësaj radhe, edhe nga ana e z. Kurti, por edhe nga ana e z. [Bedri] Hamza”.

