Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, ndërsa në rend dite do të jetë edhe diskutimi për procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i kësaj partie dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi që zhvilloi një ditë më parë me kreun e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza.
Kurti sqaroi se mbledhja nuk është thirrur enkas për çështjen e Presidentit, por në kuadër të obligimeve statutare që parashohin katër takime në vit. Ai theksoi se viti 2026 është vit zgjedhor për subjektin, çka kërkon përgatitje të brendshme organizative.
“Mbledhjen e kemi thirrur para së gjithash për shkak të obligimeve statutare dhe për faktin se ky është vit zgjedhor për Lëvizjen Vetëvendosje. Natyrisht, do ta diskutojmë edhe çështjen e Presidentit”, deklaroi Kurti para mediave.
Sipas tij, në mungesë të një marrëveshjeje politike apo propozimi konsensual, pritet që subjektet të dalin me kandidatura partiake, për të cilat, siç u shpreh ai, mund të arrihet mirëkuptim në një afat të shkurtër.
Kreu i LVV-së bëri të ditur se partia ende nuk është përcaktuar për një emër konkret, duke theksuar se sfida kryesore mbetet menaxhimi i hapave të mëtejmë në proces.
Ai shprehu shpresën që gara për postin e Presidentit të zhvillohet në frymë demokratike dhe transparente, me synimin që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt.

