Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi të dielën se Teherani është plotësisht i përgatitur për “të gjithë skenarët e mundshëm”, përfshirë edhe mundësinë e atentatit ndaj Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.
Në një prononcim të transmetuar nga televizioni shtetëror, Ghalibaf theksoi se autoritetet iraniane i kanë parashikuar zhvillimet e fundit dhe kanë ndërmarrë përgatitje paraprake. Ai akuzoi Presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se kanë “kaluar vijat e kuqe të Iranit”.
Sipas tij, veprimet e Uashingtonit dhe Tel Avivit do të kenë pasoja, duke paralajmëruar një kundërpërgjigje të mundshme nga ana e Teheranit. Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon, mes kërcënimeve dhe retorikës së ashpër mes palëve.

