Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) mori pjesë në hapjen e sezonit turistik 2026 në Gardenland Resort Hotel, në Bushat të Shkodrës, Shqipëri, duke e cilësuar këtë resort si një model të funksionimit 365 ditë në vit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, vlerësoi punën dhe vizionin e pronarit të resortit, Përparim Raboshta, duke theksuar rëndësinë e investimeve të qëndrueshme në turizëm:
“Vizioni dhe puna e palodhshme e zotit Raboshta dhe bashkëpunëtorëve të tij janë një model për Kosovën dhe Shqipërinë – një shembull i qartë se si një hotel mund të funksionojë me sukses 365 ditë në vit dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë mbarëkombëtare”, tha Shahini.
Në shenjë respekti dhe bashkëpunimi kombëtar, delegacioni i AKB-së i dhuroi pronarit të resortit një palë këpucë të qëndisura me flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë, prodhim vendor “Made in Kosova” nga kompania Solid me seli në Suharekë.
“Ky ishte një simbol i bukur i bashkëpunimit ekonomik dhe i lidhjes së fortë mes bizneseve shqiptare”, thuhet në njoftimin e AKB-së.
Nga AKB u urua që sezoni turistik 2026 të jetë i jashtëzakonshëm, me sa më shumë vizitorë dhe suksese për Gardenland Resort Hotel, duke theksuar se:
“Turizmi dhe bizneset shqiptare ecin përpara së bashku”.

