Gjatë vizitës së tij baritore në Famullinë e Ngjitjes së Zotit tonë Jezu Krishtit në Romë, Itali, më 1 mars 2026, Papa Leone XIV ngriti zërin e tij me një thirrje të fortë për paqe.
“Duhet ndalur spirali i dhunës para se të kthehet në një humnerë të pariparueshme”.
Ky është apeli që Papa bëri sot gjatë lutjes së Angelusit, duke zgjedhur fjalë të peshuara dhe të kujdesshme, të kalibruara sipas realitetit të ndërlikuar gjeopolitik të Lindjes së Mesme, ku çdo veprim mund të shkaktojë një reagim me pasoja jashtë kontrollit.
Një ditë pas sulmit “parandalues” të përbashkët të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, i ndjekur nga reagime të shpërndara të forcave raketore iraniane, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë:
“Po ndjek me shqetësim të madh çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme dhe në Iran në këto orë dramatike. Stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen me kërcënime të ndërsjella dhe as me armë që mbjellin shkatërrim, dhimbje dhe vdekje, por vetëm përmes një dialogu të arsyeshëm, të përgjegjshëm dhe autentik”.
Thirrje për diplomaci dhe përgjegjësi
Papa Leone XIV theksoi se rruga e vetme për të shmangur përshkallëzimin është diplomacia dhe dialogu i sinqertë ndërmjet palëve. Ai ftoi udhëheqësit politikë të veprojnë me përgjegjësi për të mos e çuar rajonin drejt një konflikti më të gjerë me pasoja të pakthyeshme. Mesazhi i tij ishte i qartë: paqja kërkon guxim, maturi dhe vullnet për bashkëjetesë./Informim.net

