Tregjet globale të energjisë po përballen me një tronditje të re pas sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit. Kundërpërgjigjja e Teheranit me raketa në Gjirin Persik ka rritur pasigurinë për furnizimet nga një rajon që siguron rreth 20% të naftës botërore.
Ekspertët paralajmërojnë se çmimet e naftës pritet të rriten ndjeshëm me hapjen e tregjeve të hënën, ndërsa nafta Brent ka arritur tashmë nivelin më të lartë që nga gushti 2025, me rreth 70 dollarë për fuçi.
Rreziku i bllokimit të cisternave në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik, ka bërë që disa kompani të pezullojnë përkohësisht dërgesat.
Deri më tani nuk ka raportime për dëme direkte në infrastrukturën e naftës dhe gazit, por shpërthime janë regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt, Bahrein dhe pranë ishullit Kharg në Iran.
Tarifat e transportit për cisternat janë rritur ndjeshëm, duke reflektuar rrezikun e shtuar dhe mungesën e anijeve të disponueshme.
Ndërkohë, prodhimi i rritur në SHBA, Brazil, Kanada dhe Arabia Saudite ka ndihmuar në stabilizimin e furnizimeve, por analistët theksojnë se çdo ndërprerje e rrugëve të eksportit nga Lindja e Mesme mund të ketë pasoja të menjëhershme në tregjet globale.
OPEC+ pritet të diskutojë rritjen e prodhimit, por mbetet e paqartë nëse kjo do të mjaftojë për të kompensuar mungesat e mundshme.
Kriza aktuale rikujton tensionet e viteve ’80 dhe përplasjet e mëvonshme në Gjirin Persik, duke e vendosur sërish sigurinë e transportit detar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

