Trepça në krizë: Sindikata kërkon pensionim të parakohshëm dhe investime urgjente për minatorët

by engel

Gjendja e minatorëve në ndërmarrjen Trepça po vlerësohet si jashtëzakonisht e rëndë, ndërsa kërkesë prioritare mbetet miratimi i një ligji të veçantë për pensionim të parakohshëm dhe përmirësimi i kushteve të punës në nëntokë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Trepça, Ibrahim Januzi, deklaroi se mungesa e investimeve në siguri dhe shëndet në punë, si dhe mosrritja e pagave që nga viti 2016, po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e minatorëve.

banner

Sipas tij, kushtet aktuale të punës janë larg standardeve të nevojshme, ndërsa theksoi se veçanërisht shqetësuese mbetet çështja e mikroklimës në minierë, përfshirë temperaturën dhe lagështinë, të cilat, siç tha ai, ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e punëtorëve.

Januzi nënvizoi se prioritet i menjëhershëm duhet të jetë zgjidhja e çështjeve sociale përmes një ligji që garanton pensionim të parakohshëm me standarde të dinjitetshme, si dhe njohjen dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale. Ai theksoi se puna nëntokë për dekada me radhë e bën pothuajse të pamundur shmangien e problemeve shëndetësore.

Sa i përket pagave, ai pranoi se minatorët kanë treguar mirëkuptim për shkak të situatës së vështirë financiare të ndërmarrjes, por shtoi se rritja e pagave është e domosdoshme këtë vit, duke marrë parasysh inflacionin dhe mungesën e çdo rritjeje që nga viti 2016.

Megjithatë, kreu i sindikatës theksoi se ka hapësirë për përmirësim nëse ka vullnet institucional dhe investime konkrete, duke shtuar se disa kushte bazike mund të përmirësohen me mbështetje më të madhe nga qeveria dhe menaxhmenti i ndërmarrjes.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy