Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas takimit mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se vizita nuk kishte për qëllim “pazare politike” për zgjedhjen e Presidentit.
Në një postim në Facebook, Çitaku nënvizoi se Hamza shkoj me përgjegjësi dhe seriozitet për të ofruar zgjidhje reale ndaj krizave politike të vazhdueshme, duke shtuar se PDK-ja ishte e gatshme të propozojë kandidatura që garantonin siguri institucionale, balancë politike dhe personalitete të besueshme për respektimin e rendit kushtetues.
“Ne nuk kemi shkuar për të ofruar kundërkandidat formal për hir të inatit apo për konsum ditor politik,” shkroi Çitaku, duke iu referuar deklaratës së Kurtit për mundësinë e garës me kandidatë partiakë.
Deputetja theksoi se zgjedhja e Presidentit është më e madhe se interesat partiake dhe se tani është koha që shumica parlamentare të reflektojë për të garantuar stabilitetin institucional dhe besimin qytetar.

