Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka dhënë detaje nga takimi i fundit me kryeministrin Albin Kurti, duke bërë të ditur qëndrimin e partisë së tij lidhur me çështjen e Presidentit të vendit.
Hamza ka deklaruar se gjatë takimit i ka bërë të qartë Kurtit se PDK do të mbështeste një kandidat për President nëse ai apo ajo do të vinte nga familja Jashari. Sipas tij, kjo temë është diskutuar që në takimin e parë mes tyre, i cili ishte mbajtur të dielën e kaluar.
“E ka ditur edhe Kurti edhe unë që nëse është dikush nga familja Jashari, ka me pasur përkrahjen. Ka qenë e diskutuar në takim se, nëse është dikush i familjes Jashari, mundet me pas përkrahje”, është shprehur Hamza.
Ai ka shtuar se beson që një kandidaturë e tillë do të gjente mbështetje edhe nga partitë e tjera politike, duke lënë të kuptohet se mund të arrihej një konsensus më i gjerë institucional rreth kësaj çështjeje.

