Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ajo, mungesë serioziteti në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sipas Bajramit, Kurti ka zhvilluar dy takime me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, por pa paraqitur ndonjë propozim konkret apo emër për postin e presidentit. Ajo i cilësoi këto takime si formale dhe pa rezultat, duke theksuar se mungesa e një oferte të qartë po e thellon paqartësinë politike.
Deputetja theksoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë numëron 66 vota në Kuvend, mban përgjegjësinë kryesore për sigurimin e shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, LVV ka pasur dy alternativa: përfshirjen e një partie tjetër në qeveri për të garantuar votat e mjaftueshme ose propozimin e një figure apartiake të pranueshme për një shumicë më të gjerë parlamentare. “Asnjëra prej këtyre nuk është realizuar”, ka theksuar Bajrami.
Ajo paralajmëroi se dështimi për të zgjedhur presidentin mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja, të cilat, sipas saj, do të ishin të kushtueshme financiarisht dhe do ta linin Kosovën pa institucione funksionale për muaj të tërë.
Në fund, Bajrami u bëri thirrje qytetarëve që të vlerësojnë qasjen e kryeministrit ndaj institucioneve dhe proceseve shtetërore, duke shtuar se vendi ka nevojë për stabilitet dhe përgjegjësi politike në këtë fazë.

