Një zyrtar i lartë i Gardes Islamike Revolucionare ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë, është mbyllur dhe se çdo anije që tenton të kalojë do të përballet me sulme.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Ebrahim Jabari, këshilltar i lartë i komandantit të përgjithshëm të Gardës Revolucionare, ka paralajmëruar se forcat iraniane do t’i “vënë flakën” çdo anijeje që përpiqet të kalojë përmes kësaj rruge strategjike.
“Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur. Nëse dikush përpiqet të kalojë, heronjtë e Gardës Revolucionare dhe të marinës së rregullt do t’i djegin ato anije”, citohet të ketë thënë ai.
Kjo përbën deklaratën më të drejtpërdrejtë të Teheranit që nga njoftimi i së shtunës për mbylljen e kësaj pike kyçe detare – një veprim që mund të bllokojë rreth një të pestën e furnizimit global me naftë dhe të shkaktojë rritje të menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ngushtica e Hormuzit lidh prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Gjirin Persik, përfshirë Arabia Saudite, Irani, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, duke e bërë atë arterien më jetike të eksportit të naftës në nivel global.
Zhvillimet e fundit pritet të rrisin tensionet në rajon dhe të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë botërore, ndërsa mbetet e paqartë se si do të reagojë komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre paralajmërimeve.

